Me ndryshimin e kohërave, përfshi hovin që ka marr zhvillimi teknologjik, kostot në shëndetin mendor janë të larta. Për psikiatren Arjana Rreli, frekuenca më e madhe e problemeve vihet re tek moshat më vitale.
“Rrjete sociale shfaqin modele që të rinjtë duan t’i ndjekin, por që nuk janë modele të shëndetshme. Po kjo teknologji që ka shkurtuar kohën aktive, vihen re shumë më tepër gjendje ankthi, atak paniku, ndryshime të humorit, të gjumit. Mosha 18 deri në 40 vjeç është mosha më e prekur. Ne jemi në shërbimin ambulator dhe janë të paktën 20-25 raste në ditë”, u shpreh Rreli.
Ataket e panikut, apo çrregullimet e ankthit mund të prekin secilin prej nesh, kjo diktuar nga mjaft faktorë.
“Më së shumti faktorët socialë dhe ekonomikë, por edhe marrëdhëniet ndërpersonale. Brenda familjes, në ambientet e punës. Nuk ka imunitet sepse nuk ka lidhje as me statusin mendor, as atë fizik ndonjëherë. Është një ngjarje që i ndodh sistemit nervor, qoftë edhe pas një traume”, theksoi psikiatrja.
Periudha pas COVID ishte një kambanë alarmi për shkak të numrit në rritje. Kjo ka rritur ndërgjegjësimin për t’u drejtuar më shpesh tek mjeku, sa herë ndodhin përjetime që lidhen me probleme të shëndetit mendor.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/