Në tregun valutor mbizotërojnë presionet mbiçmuese të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan.
Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin tre mujor të politikës monetare 2023 ku vë në dukje se mbiçmimi i lekut ndaj dollarit amerikan dhe euros u intensifikua në muajt mars dhe prill 2023.
"Luhatjet e kursit të lekut në tregun valutor kanë qenë kryesisht në kahun mbiçmues gjatë tremujorit të parë të vitit dhe në muajin prill, ndërsa kushtet e tregtimit në këtë treg mbeten brenda parametrave normalë. Mbiçmimi i lekut është intensifikuar në muajt mars dhe prill. Euro u kuotua me mesatarisht 114.4 lekë dhe 112.812 lekë përkatësisht në këta dy muaj, nga 116.4 lekë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar dhe në janar. Niveli mesatar i kursit eur/lek i regjistruar në muajin prill përfaqëson një mbiçmim vjetor të lekut prej 6.7%” thuhet në raportin e BSH-së e publikuar më 10 maj 2023.
Presionet mbiçmuese të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros vijnë si pasojë e ofertës së shtuar valutore, ndërkohë që kushtet e tregtimit paraqiten normale.
Banka e Shqipërisë shpjegon se ecuria e kursit të këmbimit kundrejt euros 'është reflektim i ofertës se shtuar të valutës në tregun e brendshëm financiar" Ajo është diktuar nga përmirësimi i bilancit të pagesave si rrjedhojë e prurjeve të larta valutore, të cilat vlerësohet të jenë të pranishme edhe në muajt e parë të këtij viti.
Leku u forcua edhe ndaj dollari amerikan
Në muajt e parë të vitit, leku është forcuar edhe kundrejt dollarit amerikan.
“Dollari është kuotuar mesatarisht me 106.9 lekë dhe 103.1 lekë në muajt mars dhe prill, nga 108.0 lekë në dy muajt e parë të vitit dhe 114.5 lekë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Kjo ecuri, përtej dobësimit të dollarit ndaj euros në tregun ndërkombëtar, reflekton në një masë të madhe edhe mbiçmimin e lekut kundrejt kësaj të fundit. Në muajin prill, një dollar është kuotuar mesatarisht 7.7% më poshtë se përpara një viti’ sqarohet në raport.
Në raportin tremujor të politikës monetare 2023 nënvizohet se kushtet në tregun e punës janë të shtrënguara dhe bizneset vijojnë të hasin vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore.
Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë dhe presione për rritjen e pagave në vijim. Ky zhvillim është pasqyruar në rënien në nivele minimale historike të normës së papunësisë, 10.8% në fund të vitit 2022, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat.
Pikërisht qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomik dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste.
/rtsh.al/