RTSH 24 Live

Muzikë

Presidentja sllovene viziton RTSH, Orkestra Simfonike luan pjesë nga kompozitori Bojan Adamiç

22/05/2024

Presidentja sllovene viziton RTSH, Orkestra Simfonike luan pjesë nga kompozitori Bojan Adamiç

Në kuadër të vizitës së presidentes sllovene Natasha Pirc Musar në Radio Televizionin Shqiptar, Orkestra e RTSH-së do të luajë për nder të saj pjesë nga kompozitori i njohur slloven Bojan Adamiç.

Duke folur në një intervistë për RTSH-në, etnomuzikologu Vasil Tole theksoi se Bojan Adamiç ka dhënë një kontribut  të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën në fushën e muzikës.

Sipas Toles, orkestrimet e Adamiçit kanë qenë model për klasën muzikore të kompozitorëve të Kosovës.

Bojan Adamiç ka dhënë një kontribut të spikatur përveç Shqipërisë pasi u largua, edhe në jetën muzikore të Kosovës. Madje orkestrimet e tij kanë qenë model për klasën muzikore të kompozitorëve të Kosovës për mënyrën sesi kompozohet orkestracioni modern me idiomat e muzikës folklorike. Adamiçi është i respektuar nga ne për shkak të kontributit që ka dhënë në një kohë të vështirë por shumë të domosdoshëm për muzikën shqiptare”, u shpreh Tole.

Tole e konsideroi luajtjen e pjesëve muzikore të kompozitorit Adamiç nga orkestra e RTSH-së, si një mirënjohje ndaj figurës dhe kontributit të tij në muzikën shqiptare.

Kjo që po bën Radio Televizioni Shqiptar, që e ka bërë Akademia e Shkencave që e ka kujtuar me disa veprimtari, Ministria e Kulturës apo Qendra Ndërkombëtare e Librit duke financuar botimin e librit “Kompozitori Bojan Adamiç në Shqipëri”, është një shenjë pjekurie e institucioneve tona për të thënë; faleminderit një kolegu apo një shteti të nderuar siç është Sllovenia”, theksoi Tole.

/rtsh.al/