Ndërsa aplikimet për të gjithë krijuesit dhe interpretuesit që duan të jenë pjesëmarrës në Festivalin e 63-të të këngës në RTSH janë ende të hapura, drejtoresha artistike Elhaida Dani në një komunikim me ndjekësit e saj në Instagram u kërkon ide dhe opinione, për të bërë pjesëmarrës edhe publikun shqiptar.
“Këtë do donit të kishit të ftuar Vip në netët e festivalit? Kë do donit të na përfaqësonte në Eurovision? Kë do donit të moderonte festivalin? Gjëja më e rëndësishme është opinioni dhe dëshirat e publikut”, tha Dani.
Radio Televizioni Shqiptar fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit që të dërgojnë krijimet e tyre në e-mailin zyrtar festivali63@rtsh.al, në datat 27-28 dhe 29 Shtator, ndërsa të gjithë artistët që duan t’i bashkohen kompeticionit më të rëndësishëm të muzikës në vend, duhet të ndjekin hapat e aplikimit ku një nga pikat është të jenë shqiptarë dhe kompozitori lejohet të prezantojë vetëm një këngë në festival.
Menjëherë pas dërgimit të e-mail, artistët pjesëmarrës marrin konfirmim për dorëzimin me sukses të materialeve konkurruese që duhet të jenë të reja dhe të pa publikuara më parë, në asnjë formë e format.
/RTSH/