RTSH 24 Live

Muzikë

Një takim "zemre" e kompozitorit Zef Çoba me kryeministrin Kurti

11/08/2024

Një takim "zemre" e kompozitorit Zef Çoba me kryeministrin Kurti

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi qytetin e Shkodrës, ku takoi mjeshtrin e madh, Zef Çoba, kontribues në mozaikun e këngëve shkodrane dhe muzikën bashkëkohore.

Kompozitori Çoba, i ftuar në RTSH 24, tregoi përshtypjet nga takimi i dytë me Kurtin në shtëpinë e vet, që dy muaj më parë e realizoi po rastësisht edhe në Prishtinë. 

"Folëm për artin, për kulturën, për interesat qytetare. Sigurisht që nuk ishte një vizitë aq rastësore për mua, sepse gjithmonë kam dashur që të promovohet kultura dhe shpirti kombëtar përmes krijimtarisë. Bashkë bëmë edhe një humor të këndshëm në lidhje me raportet historike që ka pasur qyteti i Shkodrës me Kosovën, veçanërisht me Gjakovën. I tregova se kënga e bukur 'Kur më del në derë' ka hyrë në librin me 250 këngë shkodrane nga autorët e mirënjohur Tonin Zadeja dhe Tonin Daija si këngë e repertorit tonë, por një profesor nga Gjakova e vlerëson si këngë të krijuar në Gjakovë. Kjo tregon shtegtimin e afërt kulturor mes popujve tanë. Shkodra i dhuroi këngën 'Xhamadani vija-vija' popullit shqiptar, por në rastin konkret edhe popullit kosovar, sepse ka fituar popullaritet jashtëzakonisht të madh.

Shkodra në vitin 2009 gjithashtu organizoi një aktivitet me rastin e Pavarësisë së Kosovës. Punimin tim me atë rast ia dhashë edhe si dedikim, bashkë me variantin origjinal të këngës 'Xhamadani vija-vija', që në fakt titullin e parë e ka pasur 'Kam një lot, më pikon si ar'," u shpreh z. Çoba për gazetaren Merisa Gjoni.

Zef Çoba ka dhënë kontribut edhe për Radiotelevizion Shqiptar, duke qenë se tri dekada më parë ka qenë kryeredaktor i krijimtarisë në Radio Shkodra.

/rtsh.al/