RTSH 24 Live

Muzikë

“Junior Fest”- Aplikimet deri më 31 gusht, Kraja: Besnik ndaj traditës së këngëve për fëmijë. RTSH, dritare për talentet e reja

14/08/2024

“Junior Fest”- Aplikimet deri më 31 gusht, Kraja: Besnik ndaj traditës së këngëve për fëmijë. RTSH, dritare për talentet e reja

“Junior Fest Albania 2024” do të mirëpres aplikimet për këngët për fëmijë të rinj deri më 31 gusht, ku çdo fëmijë I talentuar dhe i apasionuar pas kantos duhet të dërgojë këngën e tij në adresën e email-it juniorfest@rtsh.al, një festival ekzkluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar.

Drejtoresha artistike e “Junior Fest Albania 2024”, Migena Kraja, në një intervistë për RTSH 24, tha se aplikimet deri në këtë fazë kanë qenë të shumta dhe se Shqipëria ka fëmijë dhe të rinj shumë të talentuar.

Kraja sqaroi se pas mbylljes së aplikimeve do të jetë një juri profesioniste në fushën e artit që do të përzgjedh këngët që do të jenë pjesë e natës së madhe të festivalit “Junior Fest” më 27 shtator.

Kënga fituese në “Junior Fest” do të jetë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë në “Junior Eurovision” që do të zhvillohet në Madrid të Spanjës më 16 nëntor.

“Ajo që është risi janë këngët dhe vetë fëmijët. Ka interes jo vetëm nga vetë fëmijët por dhe prindërit që janë të interesuar që fëmijët e tyre të plotësojnë ëndrrat dhe ti shohin në skenë. Prej disa javësh kemi nisur lajmërimet. Qëllimi im është ti promovojmë këto talente dhe ti drejtojmë drejt të ardhmes dhe këta fëmijë dhe të rinj të ketë Juniorin si një pedal për të shkuar në festivalin e madh të RTSH. Deri më 31 gusht do të jenë aplikimet dhe shpresojmë të kemi prurje të mirë dhe t’i orientojmë drejt rrymave që preferohen më shumë për kohën. Në ditët e para të shtatorit do të mblidhet një juri me profesionistë të artit dhe do përzgjedh këngët konkurruese më 27 shtator ku do jetë dhe mbrëmja spektakël dhe do të jetë një vendim mjaft i mirë dhe duam që të kemi këngët dhe zërat më të mirë që do na përfaqësojë më pas në Junior Eurovision. Edhe mësuesve të kantos që merren me fëmijët bëjnë një punë të jashtëzakonshëm për t’u mësuar teknikë dhe të shtrijnë diapazonin e tyre vokal. Shpresojmë të çojmë një këngë sa më të bukur më 16 nëntor në Madrid ku do të jetë dhe Junior Eurovision që do zhvillohet në Spanjë”, tha Kraja.

Duke e cilësuar këngën për fëmijë si një traditë shumë vjeçare, Kraja tha se ky festival i ka qëndruar besnik traditës, por edhe duke u përshtatur me kohët e sotme në mënyrë që kënga të jetë e pëlqyer nga të gjithë. Kraja e ka cilësuar Radio Televizionin Shqiptar si një dritare për talentet e reja, të cilat promovohen në festivalet dhe programacionet e ndryshme të këtij rrjeti mediatik.

“Fëmijët të befasojnë, janë ndonjëherë më korrekt se të rriturit. Janë prindërit ndonjëherë ata që kanë më shumë tekat. Fëmijët kanë emocionet e tyre pasi nuk është e lehtë të dalësh në skenë dhe ne bëjmë prova të vazhdueshme deri në natën finale, është një staf shumë i madh që punon për këtë festival, Ne kemi filluar punë që në korrik me diskutime. Vokalet e fëmijëve shqiptar janë mjaft të mira dhe kemi kore të caktuara me të cilët punohet nga mësues kantoje.

Fëmijët me talente e kanë derën e hapur në RTSH dhe në aktivitet të terja dhe ne i aktivizojmë nëpër emisioneve të tjera dhe spektakle që janë të dedikuara për fëmijë. Ne gjithnjë kemi dërguar talente me vokale shumë të mira në Eurovision dhe kthehen me një eksperiencë shumë të mirë. Fëmijët nuk vijnë vetëm nga Liceu artistik i degës së Kantos, por vijnë nga kore të ndryshme dhe qendra kulturore të ndryshme për fëmijët në të gjithë vendin. Kemi vërtet fëmijë të talentuar dhe RTSH është si një dritare për ta përmes festivaleve dhe programacioneve të ndryshme. Ne duhet t’i qëndrojmë besnik traditës tonë. Kënga për fëmija është një traditë shumëvjeçare ku deri në kohët e sotme ka pasur ndryshime duke iu përshtatur kohës, por pa dalë asnjëherë nga baza”, u shpreh ajo.

"Junior Fest Albania 2024" është një Festival Mbarëkombëtar për fëmijë nga mosha 9 deri 14 vjeç, që zhvillohet nga RTSH, si përfaqësues dhe anëtar i EBU, dhe ku do të përzgjidhet kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian “Junior Eurovision Song Contest”.

Ky produksion, i organizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar, do të vijë me një formulë krejt të re në formën e një spektakli që do të zhvillohet në Tiranë. Ftojmë të gjithë krijuesit të bëhen pjesë e aktivitetit artistik për këto grupmosha.

/rtsh.al/