RTSH 24 Live

Aktualitet

Porti i Durrësit, policia zbulon një arsenal me armë, vihet në pranga një shtetas me banim në Zvicër

08/12/2022

Porti i Durrësit, policia zbulon një arsenal me armë, vihet në pranga një shtetas me banim në Zvicër

Policia e Durrësit ka zbuluar një arsenal me armë në një makinë të tipit “Land Rover”, në pronësi të një shtetasi me banim në Zvicër.

Në prangat e policisë në Portin e Durrësit ka rënë një shtetas i moshës 53- vjeç, i cili ka tentuar të kalojë në fshehtësi brenda territorit shqiptar një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu.

Operacioni u zhvillua nga Policia Kufitare e Portit Durrës, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore të Portit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, bazuar në analizën e rriskut dhe inteligjencën informative për një shtetas që kishte me vete armë zjarri dhe do të hynte në Shqipëri, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Durrës, dhe autoritetet doganore, operacionin policor të koduar “Snajperi”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 53 vjeç, banues në Zvicër. Shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë në hyrje të RSH, 53 vjeçarin së bashku me automjetin e tij tip "Land Rover" dhe gjatë kontrollit, Policia gjeti të fshehura, në brendësi të makinës një armë zjarri pistoletë, një snajper, një armë gjahu, 1367 copë fishekë luftarak dhe 800 copë fishekë për armë gjahu, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/