RTSH 24 Live

Ekonomi

Portat e Durrësit modern, qeveria bën gati tenderin për Porto-Romanon

21/05/2024

Portat e Durrësit modern, qeveria bën gati tenderin për Porto-Romanon

Shumë pikëpyetje për Porto-Romanon, portin e ri të Shqipërisë, tenderi për ndërtimin e të cilit hapet pas pak ditësh.

Shumë debat politik, por jo vetëm, për një nga investimet më të spikatura me para publike.

"A ka një studim gjeologjik të zonës? A ka një studim batimetrik të zonës? A kemi studimin e trëndafilit të erërave?" janë disa pyetje mjaft të rëndësishme. Vendimi për zhvendosjen e portit të mallrave në Porto-Romano është një vendimmarrje e mbështetur në strategji, thonë autoritetet. 

Ndërkohë, investimi privat në këtë port të ri është aty. Por shtohen milionat e këtij investimi dita-ditës. Përkundrejt tij, edhe qeveria, edhe Autoriteti Portual i Durrësit do të investojnë rreth gjysëm milionë euro për një port të ri.

Pse duhet ky port që ndërtohet, kujt do t’i shërbejë? Deri ku shtrihet shërbimi i tij? 

Përkundër gjithë hamendësimeve apo mungesës së njohjes së projektit dhe hapave për realizimin e tij, Radiotelevizioni publik Shqiptar zgjodhi të flasë me drejtorin e Autoritetit Portual të Durrësit, z. Pirro Vengo.

"Nuk do jemi më një ent ku ofrohet ngarkimi dhe shkarkimi nga privatët, por duam të transformohemi në një nyjë logjistike, ku ka edhe aktivitet me vlerë të shtuar ekonomike në terminale dhe në zonat e lira ekonomike në prapavijën e portit, në Porto-Romano. Ndaj edhe projekti në Porto-Romano parashikon jo vetëm terminal dhe infrastrukturë të re, jo vetëm dyfishim të thellësisë, jo vetëm trefishim të kapaciteteve përpunuese, por parashikon gjithashty dy elemente të rëndësishme: një zonë logjistike, e cila do t'i ofrojë kompanive përpunuese që importojnë lëndën e parë, përmes portit qoftë në rrugë kontejnerike, qoftë me anije të tipologjive të tjera, që të bëjnë vlerë të shtuar ekonomike në këto zona dhe më pas ta rieksportojnë qoftë përmes portit, qoftë përmes rajonit," thotë z. Vengo.

Drejtori i Autoritetit Portual tregoi të vërtetën e tij për Portin e Durrësit dhe për Porto Romanon! 

RTSH kërkoi të shihte nga afër investimet në portin e ri të mallrave në një pjesë të tij.

Shumë shpejt po ecin edhe punimet shtetërore në Porto-Romano. Tenderi është në prag.

Projekti i një prej kompanive më të njohura në botë, holandezes Haskoning, është aty. Edhe financimi i fazës së parë, tashmë me para publike, është gati. Në Porto-Romano po zhvendoset transporti i mallrave. Në Portin e Durrësit po hidhen themelet e ndërtimeve rezidenciale dhe hoteleve, së bashku me portin modern turistik të jahteve.

Pak kohë të duhet, të ndjesh aromën e punës dhe të investimeve. Janë investime që flasin...

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/