RTSH 24 Live

Film

Pluton Vasi me "Këtu vallëzohet me hijet" risjell atmosferën e komunizmit në Shqipëri

23/03/2023

Pluton Vasi me "Këtu vallëzohet me hijet" risjell atmosferën e komunizmit në Shqipëri

"Këtu vallëzohet me hijet" është filmi më i ri shqiptar i cili risjell atmosferën e komunizmit në Shqipëri, temë me të cilën duken të pandarë pothuajse të gjithë regjisorët e post-komunizmit shqiptar.
  
Skenari i Bashkim Hoxhës nën regjinë e Pluton Vasit, ka rrëfyer për publikun e pazakontë të mbledhur në kinema "Millenium" për premierën, historinë e një gazetareje, Flora. 

Ajo rikthehet nga jashtë në Shqipëri për të bërë një dokumentar për Nënë Terezën. 

Fatkeqsisht në shtëpinë e saj në Shkodrën antikomuniste nuk e gjen gjallë nënën, një grua shqiptaro-austriake. 

Por gjen njeriun që i survejoi nënën, Miriamin, interpretuar nga aktorja e njohur e filmit "Gangs of London", aktorja shqiptare me banim në Britani, Eri Shuka. 

Ish-balerina e bukur dhe miqtë e saj liberalë bëheshin bashkë për të shprehur pakënaqësitë ndaj sistemit, për të recituar vargje të guximshme të Bodlerit, për të kërcyer, për të pirë apo dhe për të bërë dashuri. 

Ata ishin pjesë e të rinjve të arsimuar jashtë para Luftës së Dytë Botërore, atë kohë pjesë e të ashtuquajturave klasave të përmbysura nga pushteti popullor. 

Pas përgjimeve, Miriamit i vrasin të dashurin poet.

Ai që e survejonte, Ziguri, rol i interpretuar nga aktori Karafil Shena u dashurua me të dhe prej dashuri-përdhunimit u ngjiz dhe u lind Flora, gazetarja, interpretuar nga Rovena Lule Kuke, që nuk e pranoi dot se ishte bija e një spiuni. 

Babai i saj, i ndjerë i pakuptuar dhe viktimë e kohës, i braktisur nga të gjithë, pa kuptim më për të jetuar, i jep fund jetës së tij. 

Filmi ‚"Këtu vallëzohet me hijet“ është një bashkëprodhim i QKK, Agjencisë së Filmit në MV, Doli Media Studio Bullgari, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe RTSH. 

Producentë të tij janë Vjollca Dedei dhe Pluton Vasi dhe një kast me emra profesionistësh. Drejtor fotografie është Spartak Papadhimitri, muzikën e ka kompozuar Hajg Zaharjan, piktor i  filmit është i njohuri Adnan Kastratin, kostumografia vjen nga Taulant Pustina, operator Adi Grishaj, ndërsa montazhi nga mjeshtri Gjergji Pano. 

/ rtsh /