RTSH 24 Live

Film

Filma kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit në kinemanë verore të DPA-së

20/06/2024

Filma kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit në kinemanë verore të DPA-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi kalendarin e shfaqjeve të filmave në Kinemanë Verore, kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit. 

Në kinemanë verore të DPA-së do të mbahen edhe shfaqje teatrore dhe filma artistikë të Universitetit të Arteve (UA), që do të mund të rezervohen përmes një aplikacioni.

Duke filluar nga data 24 qershor, Kinemaja Verore pranë DPA-së do të nisë një sezon të ngjeshur artistik me shfaqjen e realizimeve filmike, që risjellin kushtrimin e dëshmorëve të atdheut. Përmes kësaj nisme, DPA-ja përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm: janë pikërisht të rinjtë dhe të rejat ata që kanë dalë në mbrojtje të atdheut, kur liria e tij ka qenë e rrezikuar. 

Kinemaja verore ka një kapacitet prej 140 ulësesh, ku do të shfaqen 10 filma, për ndjekjen e secilit prej tyre, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin e ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.arkiva.gov.al

Kjo nismë, që gëzon bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), vjen në vazhdën e synimit të DPA-së për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën, nëpërmjet formave bashkëkohore.

Në repertorin e përzgjedhur, bëjnë pjesë filmat që kanë lënë gjurmë ndër vite si më të mirët e kinematografisë shqiptare. Kujtojmë “Gjeneral Gramafoni”,  “Lulëkuqe mbi mure”, “Mëngjese lufte”, “Malet me blerim mbuluar”, "I teti në bronz”, apo “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

/ rtsh.al /