RTSH 24 Live

Film

Festivali i filmit në Venecia, yjet e kinematografisë parakaluan në tapetin e kuq

29/08/2024

Festivali i filmit në Venecia, yjet e kinematografisë parakaluan në tapetin e kuq

Festivali i Filmit në Venecia, i cili ndër vite është konsideruar si platforma e nisjes së çmimeve Oscar, ngriti siparin të mërkurën me parakalimin e yjeve të kinematografisë botërore në tapetin e kuq.

Pas edicionit të vitit të kaluar, që ishte më i kufizuar për shkak të grevave në Hollywood, Festivali i Filmit në Venecia nisi të mirëpresë superyjet.

Dita e parë mblodhi së bashku në tapetin e kuq Michael Keaton, Monica Belluccin, Winona Ryder dhe Jenna Ortega. Gjatë ceremonisë, të drejtuar nga Sveva Alviti , u prezantua Juria Ndërkombëtare e Konkursit, që  kryesohet nga aktorja franceze Isabelle Huppert, e cila do të japë “Luanin e Artë” të këtij edicioni, ndërsa aktorja amerikane Sigourney Weaver u nderua me “Luanin e Artë për Karrierën” lidhur me  arritjet e saj të shumta në fushën e aktrimit.

Ylli 74-vjeçar i kinematografisë botërore pranoi çmimin personalisht në natën hapëse të  festivalit të Venecias. 29 gushti ka rezervuar surpriza të tjera, ndërsa në Lido kanë mbërritur artistet Angelina Jolie dhe Cate Blanchett, por priten edhe Lady Gaga, Brad Pitt e shumë të tjerë.

21 filma konkurrojnë për  “Luanin e Artë” në festivalin më të vjetër në botë, që nisi më 28 gusht dhe do të zgjasë deri të shtunën e 7 shtatorit, kur mbahet ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve.

/RTSH/