RTSH 24 Live

Aktualitet

Azilkërkuesit në BE, Shqipëria dhe Kosova kryesojnë

16/09/2024

Azilkërkuesit në BE, Shqipëria dhe Kosova kryesojnë

Në gjysmën e parë të këtij viti, shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova renditen të parët për nga numri i kërkesave azil në Bashkimin Europian, krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Raporti i fundit i Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA) thotë se 3,778 kërkesa për azil u paraqitën për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian nga shtetasit e Shqipërisë nga janari deri në qershor të këtij viti.

Numri më i lartë i kërkesave për azil të shtetasve nga Shqipëria u regjistrua në Itali, Greqi dhe Francë. Edhe numri i kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës në një vend të Bashkimit Europian ishte i lartë, duke shënuar 3,375 persona kërkesa në gjysmën e parë të këtij viti. 

Ndërsa shtetasit e Maqedonisë së Veriut paraqitën 1,872 kërkesa për azil , të Serbisë 1,660 kërkesa, të Bosnje Hercegovinës 750 kërkesa dhe të Malit të Zi vetëm 182 kërkesa. 

Ndërkohë, sipas një raporti të sapo publikuar të Agjencisë eEuropiane të Statistikave EUROSTAT, shtetasit nga Shqipëria përbëjnë gjithashtu numrin më të lartë të leje qëndrimeve të marra në një vend të Bashkimit Europian përgjatë vitit 2023 nga rajoni i Ballkanit, me 74,938 të tilla e më pas Kosova me 45,568, një numër shumë më i lartë nga vendet e rajonit.

 

/rtsh.al/