RTSH 24 Live

Film

Aktorët e "Shkëlqim i përkohshëm", Gjeka dhe Zeneli, bashkë në Përmet pas 35 vitesh

11/08/2024

Aktorët e "Shkëlqim i përkohshëm", Gjeka dhe Zeneli, bashkë në Përmet pas 35 vitesh

Rita Gjeka dhe Xhevahir Zeneli rikthehen pas 35 vitesh në qytetin e Përmetit.

U desh ftesa e Bledi Manes, organizatorit të festivalit "Nona", që të bënte bashkë çiftin e aktorëve, të cilët luajtën rolet kryesore në filmin "Shkëlqim i përkohshëm".

"Është ndjesi e veçantë të rikthehesh pas kaq vitesh në një qytet që na priti me shumë dashuri në ato kohëra dhe po vazhdon ta ruajë dhe ta përcjellë traditën e mikpritjes," u shpreh aktorja Rita Gjeka. "Në fakt unë nuk e di pse jam e emocionuar, sepse 35 vjet më parë, në këto shkallët këtu mbaj mend që kemi pasur një plan. Më kujtohen shumë gjëra, shumë njerëz."

Teksa kujton ato vite të arta për karrierën e tij, aktori dhe humoristi Xhevahir Zeneli me shaka thotë se mikpritja përmetare e bëri atë të donte jo vetëm qytetin dhe njerëzit, por edhe pijet tradicionale.

"Përmetin e kam pasur që në fëmijëri, që në vitet e gjimnazit, një nga ëndrrat e mia. Më ka pëlqyer që kur e kam parë herën e parë. Edhe pse formalisht kur mbaruam shkollën e lartë na pyesnin ku ke dëshirë të punosh, mbas Tiranës çuditërisht kam vënë Përmetin," shtoi z. Zeneli.

Festivali "Nona", përveçse ofron traditë, mikpritje, kulinari, artizanat, muzikë popullore dhe të zhanreve të ndryshme, ai bashkon njerëz nga mbarë trevat shqipëfolëse.

/rtsh.al/