Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 83-të.
Vitet kalojnë, por aktori i madh vetëm sa e fiton gjithnjë e më tepër dashurinë e publikut shqiptar.
Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij.
Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij. Të gjithë e vlerësojnë për sjelljen në jetën reale, por edhe për personazhet që tashmë i përkasin.
Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s'i ndau kurrë.
Ai numëron mbi 50 vite karrierë mbi supe... është skicues i karaktereve të goditura, që janë aq shumë. E gjen kudo: teatër e kinema, seriale televizive.
Me rolet e spikatura, që pasqyrojnë një botë të madhe shpirtërore, talentin e padiskutueshëm e punën e palodhur për të dhënë më të mirën duke depërtuar në lëkurën e çdo personazhi, Robert Ndrenika është vlerësuar ndër vite: në vitin 1979 atij iu akordua titulli “Artist i Merituar”, në 1988-ën titulli “Artist i Popullit”.
Në 1994, Ndrenika u nderua me kupën për "Aktorin më të Mirë" në Festivalin Kombëtar të Teatrit, për rolin e Di Speltës në shfaqjen “Magjia e madhe” të Eduardo De Filippo.
Në Festivalin e Filmit të vitit 1979 ai u nderua për rolin e prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Në vitin 2012 ai u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit”.
Gëzuar ditëlindjen, Robert Ndrenika! Faleminderit që ndan me ne talentin, pasionin, mjeshtërinë e aktrimit dhe bukurinë e gjuhës shqipe!
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/