Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023, duke kurorëzuar Besnik Mustafajn për "Romanin më të mirë të vitit".
Libri i autorit Mustafaj, "Fati i marrë", u vlerësua "për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie 'alternative', ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave".
Juria e drejtuar nga Koloreto Cukali vlerësoi prurjet më të mira në 6 kategori.
- "Vepra më e mirë studimore e vitit" iu dha autorit Pëllumb Xhufi për librin "Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar".
- "Përkthimi më i mirë i vitit" u shpall "Daullja prej llamarine" me autor Gunter Gras, i përkthyer nga Ana Kove.
- "Vëllimi më i mirë me tregime i vitit" iu dha autorit Shpëtim Kelmendi për librin "Dashnia asht'".
- "Vëllimi më i mirë poetik i vitit" iu dha autores Entela Tabaku për librin "Qeramikiana".
- "Libri për fëmijë më i mirë i vitit" shkoi për autoren Ledjona Braho për librin "Kroni dhe pulëbardhat".
Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë një traditë e hershme e krijuar për të vlerësuar krijimet më të mira të një viti, për të motivuar e për të shtyrë përpara autorët e veprave.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/