RTSH 24 Live

Ekonomi

Plani i Rritjes për Ballkanin, Shqipëri dhe BE së bashku për strukturat e nevojshme

20 orë para

Plani i Rritjes për Ballkanin, Shqipëri dhe BE së bashku për strukturat e nevojshme

Shqipëria duhet të arrijë në pranverë që të përmbushë praktikat e strukturat që lejojnë lëvrimin e këstit të parë të fondit të Planit të Rritjes.

Ekspertja për fondet e BE-së, Krisela Haçkaj, veçon disa veprime paralele të nevojshme.

"Pritet fundi i marsit, por mund të kalojë edhe në tremujorin e dytë, duke konsideruar kohën e nevojshme administrative, burokratike, që jo vetëm vendet, por edhe Komisioni Europian ka për ta bërë efektive disbursimin financiar. Është ratifikimi i dy marrëveshjeve kryesore, marrëveshja e huasë dhe e granteve. Këto mendoj që kalojnë në Kuvend. Është parakusht ratifikimi i këtyre marrëveshjeve dhe më pas firma e tyre prej KE-së dhe qeverisë, që të bëhet disbursimi i këstit të parë, që për Shqipërinë është rreth 64 milionë euro," shpjegon znj. Haçkaj.

Ndër pritmëritë bën pjesë edhe një raport për reformat gjatë 2024-s.

"Plani i reformave fillon qysh në 2024-ën, që do të thotë se vendet duhet të raportojnë pranë Komisionit Europian për reformat që kanë kryer ose ecurinë e tyre. Pritet që ky raport i parë t'i shkojë KE-së në mes të muajit mars," thotë ekspertja.

Për një praktikë krejt të re, siç është kjo e Planit të Rritjes për Ballkanin, vetë BE-ja duhej të bëhej gati.

"Është ristrukturimi i drejtorisë së zgjerimit në Komisionin Europian, i cili ka mbaruar. Gjithashtu janë edhe sfidat që të dyja palët, Komisioni, por edhe qeveritë janë duke hasur në dizenjimin e planit, por edhe përshtatjen e strukturave të brendshme për ta menaxhuar këtë instrument të ri," tregon znj Haçkaj.

Në rrugë të pashkelura, megjithatë Shqipërisë do i duhet të përgjigjet në kohë me institucione përkatëse pyetjeve komplekse të BE-së.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/