Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për portin turistik të Durrësit.
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e padisë së një të pestës së opozitës, të cilët argumentonin për antikushtetueshmëri të 4 VKM-ve në lidhje me projektin e portit të ri turistik të qytetit bregdetar, "Durres Yachts & Marina".
Me anë të një njoftimi zyrtar, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese për pretendimin se u cenua liria e veprimtarisë ekonomike sipas parimit të barazisë para ligjit.
Gjykata Kushtetuese u shpreh se VKM-të janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues.
“Përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik”, thuhet ne njoftim.
Sa i takon pretendimeve për cënim të parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, “Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor”.
Ndërsa për pretendimin e cenimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë “Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë”.
Marrëveshja e zhvillimit për projektin turistik të Portit të Durrësit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Muhammed El Alabbar u nënshkrua në fund të janarit 2023.
Parashikohet që vlera e projektit të jetë 2 miliardë euro, ndërsa synimi është transformimi i Durrësit në një epiqendër të turizmit në Mesdhe.
/rtsh.al/