RTSH 24 Live

Ekonomi

Plani i motivimit të administratës, ministrja Pirdeni: Pagat do të rriten brenda vitit 2024

29/05/2024

Plani i motivimit të administratës, ministrja Pirdeni: Pagat do të rriten brenda vitit 2024

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin  Adea Pirdeni, gjatë aktivitetit “Java e Administratës Publike” u shpreh se reformat e nisura kanë filluar të japin frytet e para, duke shndërruar sektorin publik si një punëdhënës tërheqës dhe shpërblyes.

Duke prezantuar “Paketën e Motivimit për Administratën”, ministrja Adea Pirdeni theksoi se kjo përfshin rritjen e pagave për vitin 2024, fleksibilitetin e orarit në punë, vlerësimin e performancës së punonjësve si dhe një seri masash mbështetëse për mbarëvajtjen e punës në administratë dhe trajtimin e punonjësve.

“Ndryshimet vijnë me një valë të re të përqendruar tek transformimi i institucioneve dhe modernizimi. Një pjesë thelbësore e këtij transformimi është “Paketa e Motivimit për Administratën Publike” që përfshin fleksibilitet të orarit të punës sipas nevojave që kanë punonjësit e administratës dhe përmirësim të kushteve të punës” u shpreh ajo.

Duke e diskutuar me të gjithë ata që e jetojnë përditshmërinë e punës në administratë, u shpreh ministrja, e para ndër kërkesat  ka qenë garantimi i fleksibilitetit të orarit.

“Ndaj dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti do t’iu mundësohet punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla”, u shpreh Pirdeni.

Më tej ajo tha se “të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin. E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtuara se një javë,” tha ministrja Pirdeni.

Një çështje tjetër për të cilën foli ministrja Pirdeni, ishte ccështja e rritjes së pagës së administratës.

Pirdeni u ndal tek rritja e pagave brenda vitit 2024, duke bërë të ditur se pagat do të rriten brenda vitit 2024 për nëpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të vetëqeverisjes vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit. Sektori publik, vuri në dukje ajo, tashmë është shndërruar në punëdhënës tërheqës.

“Rritja e pagave ka hyrë aktualisht në një fazë të dytë, e cila do të përmbyllet brenda këtij viti dhe do të përfshijë rritjet për nëpunësit civil të nivelit specialist, Forcat e Armatosura, punonjësit e sigurisë, si dhe të gjithë punonjësit në sektorin e arsimit dhe së fundi nga radha por jo nga rëndësia, pagat e punonjësve të institucioneve të qeverisjes vendore, sikurse nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Kjo reformë i ka dhënë tashmë frytet e para, evidentuar kjo me rritjen 23 % rritje të numrit mesatar të aplikantëve për rekrutime jashtë shërbimit civil për pozicione të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, pikërisht për shkak të rritjes më të ndjeshme të pagës së kësaj fashe dhe uljes në masën 15% të dorëheqjeve,” tha ministrja Pirdeni.

/rtsh.al/