RTSH 24 Live

Aktualitet

Plagoset me thikë kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi! Arrestohet autori, ish-punonjës i IT në Bashki

11/11/2022

Plagoset me thikë kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi! Arrestohet autori, ish-punonjës i IT në Bashki

Kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, është plagosur me thikë këtë të premte. Autori është identifikuar si Orges Xhelili, i cili ka qenë punonjës i IT në bashkinë e Divjakës, ndërsa është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.

Dyshohet se Kokoneshi dhe Xhelili janë përfshirë në një sherr me njëri-tjetrin, për motive që nuk dihen ende, teksa i plagosur ka mbetur edhe shoferi i kryebashkiakut të Divjakës, Gazmend Bullari.

Kokoneshi dhe shoferi i tij u dërguan fillimisht në spitalin e Lushnjës, por më pas u transportuan në Spitalin Ushtarak në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Kujtojmë se më 13 korrik, Kokoneshi u dhunua në mes të qytetit nga një 32-vjeçar. Ishte vetë kryebashkiaku që denoncoi të riun në polici, duke deklaruar se ai e kishte goditur me grushte dhe e kishte ofenduar për shkak të detyrës që ushtron.

Për momentin nuk bëhen me dije më shumë detaje për ngjarjen, teksa policia ka nisur hetimet.

Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë. Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes. Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

/rtsh.al/