RTSH 24 Live

Aktualitet

Siguria e turizmit, Kumbaro: Mbi 600 udhërrëfyes të licensuar, institucionet në këmbë gjithë sezonin

29/04/2024

Siguria e turizmit, Kumbaro: Mbi 600 udhërrëfyes të licensuar, institucionet në këmbë gjithë sezonin

Garantimi i sigurisë për turistët është një nga objektivat kryesorë në mënyrë që sezoni veror të jetë i qetë dhe i sigurt për të gjithë pushuesit vendas dhe të huaj.

Në Konferencën Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, apeloi që të gjithë operatorët, të cilët merren me turizmin detar, duhet të pajisjen me certifikatë të posaçme, në të kundërt do t’u mbyllet aktiviteti.

Gjithashtu në të gjithë vendin janë trajnuar dhe licensuar 600 udhërrëfyes të të gjitha kategorive. Ministrja Kumbaro u bëri thirrje operatorëve dhe hotelierëve që lidhin turistët me këta udhërrëfyes në mënyrë që të eksplorojnë vendin në mënyrë të sigurt.

“I kemi filluar takimet me turoperatorët, me të gjithë prefektët dhe me kryetarët e bashkive bregdetare me të cilët do të vijojmë të jemi në një komunikim të pandërprerë 24 orë për çdo problematikë. Do të vazhdojë komunikimi intensiv dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit përmes flotës së dedikuar të Policisë Kufitare për kontrollet mbi operimin e mjeteve motorike detare si skafe, motora uji, gomone, jahte etj. Kemi certifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Nuk diskutohen prania e pangegociueshme e vrojtuesve të plazheve për çdo stacion si dhe gjithë sinjalistika orientuese për pushuesit. Ky detyrim është po aq i dosmodoshëm edhe për plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë. Stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë gjatë gjithë sezonit veror në inspektim dhe me kompetenca të shtuara, pas ndryshime të fundit ligjore”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Përpos porosive për mbarëvajtjen e sezonit turistik në bregdet, ministrja Kumbaro shtoi se vitin e shkuar 4.5 milionë turistë vizituan Zonat e Mbrojtura dhe këtu theksoi se është shumë e rëndësishme siguria gjatë eksplorimit të terreneve malore, duke kërkuar shërbimin e guidave lokale për të shmangur incidentet.

“E gjej me vend të bëj edhe një thirrje për të gjithë tour operatorët dhe eksploruesit e zonave malore, të kërkojnë shërbimin e guidave kombëtare apo lokale që operojnë në zonat përkatëse, për të shmangur çdo incident, sepse përveçse kushton jetën e shëndetin, vendosim në rrezik edhe ekipet tona, por ka edhe kostot e veta. Janë mbi 600 udhërrëfyes të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Me ligjin e ri të turizmit, kemi krijuar edhe më shumë lehtësi nga burokracitë certifikimin e udhërrëfyesve, prandaj përfitoj edhe nga ky rast për të ftuar këdo që ka pasion turizmin të investohet në këtë profesion”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Në fund të fjalës së saj, Kumbaro u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të intensifikojë rolin e saj monitorues dhe në mbrojtje të standardeve në turizëm.

/rtsh.al/