RTSH 24 Live

Politikë

PL, Blushi: SPAK është një organizatë kriminale në duart e Ramës dhe mafies ndërkombëtare

15/09/2024

PL, Blushi: SPAK është një organizatë kriminale në duart e Ramës dhe mafies ndërkombëtare

Sekretari i Përgjithshëm, i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, në një deklaratë për shtyp u shpreh se vendimi i Kuvendit për të hedhur poshtë për herë të tretë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Olta Xhaçkën, është, sipas tij, “konfirmim i asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të vetë Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, është prova e asgjësimit të Kuvendit dhe shtetit të së drejtës”.

Sipas tij, mbyllja e syve “para provave ulëritëse të korrupsionit skizofrenik dhe inkriminimit në nivele të larta”, provon se “SPAK është një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës dhe mafias ndërkombëtare, që kërkon të shuajë sovranitetin e popullit shqiptar dhe të Republikës së Shqipërisë”.

Blushi tha se, në kushtet kur mafia ka kapur shtetin, izolon pa prova liderin e Partisë Demokratike dhe shantazhon drejtuesit e opozitës, çdo veprim qytetar kundër mafies në pushtet është legjitim.

Ai bëri apel për përshkallëzim të aksionit opozitar në të gjitha frontet.

“Partia e Lirisë është e vendosur për t’i prirë kësaj beteje me çdo çmim në mbrojtje të demokracisë, pluralizmit politik dhe dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë”, u shpreh Blushi.

/rtsh.al/