Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kërkon lirimin e Abdullah Ocalan dhe krijimin e kushteve që ai të punojë lirshëm, në mënyrë që të mblidhet kongresi që do të vendosë për çarmatimin dhe vetëshpërbërjen e saj, në përputhje me apelin e vetë liderit kurd.
Askush përveç Oçalanit nuk mund të thërrasë kongresin dhe askush nuk mund t'i marrë këto vendime, thuhet se tha kreu i PKK Cemil Bayik, sipas mediave turke.
“Askush prej nesh, administrata e PKK-së apo kuadrot e PKK-së nuk mund ta sigurojë këtë”, theksoi ai dhe bëri thirrje për garantimin e “lirisë fizike” dhe “kushteve të lira të punës” për udhëheqësin e organizatës.
Ai kërkoi gjithashtu që Asambleja e Madhe Kombëtare Turke të krijojë një komision për të ndryshuar disa nene në Kushtetutë dhe ligje.
Ditët e kaluara, i njëjti lider i PKK-së kishte deklaruar se organizata nuk ishte në gjendje të thërriste një kongres, pasi nuk ishin plotësuar kushtet e duhura të sigurisë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga ushtria turke.
Kryetari i Partisë së Veprimit Nacionalist (MHP) dhe partneri qeveritar i presidentit Erdogan, Devlet Bahçeli, deklaroi dje se mbledhja e kongresit të PKK-së “për të vendosur për shpërndarjen e saj dhe dorëzimin e armëve të përgjakshme sa më parë” nuk mund të shtyhet.
Më 22 tetor të vitit të kaluar, Devlet Bahçeli paraqiti një propozim për lirimin e Öcalanit, në kushte rreptësisht kufizuese, nëse ai heq dorë publikisht nga aksioni i armatosur në Asamblenë Kombëtare dhe u bën thirrje anëtarëve të PKK-së të shpërndajnë organizatën. Öcalan bëri thirrje për çarmatimin dhe vetëshpërbërjen e PKK më 27 shkurt dhe PKK shpalli armëpushim më 1 mars.
/rtsh.al/