Në një sondazh të fundit të ndërmarrë nga Nando Pagnoncelli dhe rezultatet e të cilit u publikuan nga gazeta italiane "Il Corriere", vihet në dukje fakti se ndërsa lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të katërt, mes votuesve italianë ndihet një lloj lodhjeje emocionale, që ka lidhje me shqetësimet për situatën ekonomike dhe në përgjithësi me krizat që janë shfaqur në vitet e para të kësaj dekade.
Vetëm 32 për qind e votuesve italianë mbështesin Ukrainën, e cila në fillim të luftës mbështetej nga 57 për qind e tyre.
11 për qind e mbështesin Rusinë, por shumica absolute, pra 57 për qind, nuk mbështesin asnjërën nga palët në luftë.
Pas takimit të tensionuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, një shumicë e italianëve, rreth 47 për qind e tyre mendojnë se ai u soll në mënyrë të papërshtashme dhe arrogante ndaj Zelensky, 24 për qind e mbështesin sjelljen e tij, ndërsa 29 për qind nuk mundën të shpreheshin apo nuk ishin në dijeni të fakteve.
Për sa i përket planit europian për riarmatimin e Europës, që parashikon angazhimin e 800 miliardë eurove për krijimin e një force parandaluese dhe që ka thelluar ndasitë mes mazhorancës dhe opozitës italiane, 28 për qind e votuesve janë pro këtij plani, 39 kundër, ndërsa një e treta nuk ka shprehur mendim.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/