Një aksident i rëndë detar ka ndodhur në Detin e Veriut në Angli, ku një anije-cisternë me naftë është përplasur me një anije mallrash, duke shkaktuar plagosjen e 32 personave.
Ngjarja ka ndodhur pranë brigjeve të Jorkshirit Lindor, ku autoritetet po vijojnë një operacion të madh shpëtimi për ekuipazhet e të dyja anijeve. Në aksion janë përfshirë një helikopter i rojës bregdetare, avionë, varka shpëtimi dhe anije të tjera që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Përplasja ka shkaktuar një zjarr të madh, me shtëllunga të dendura tymi të zi dhe flakë që ngrihen në zonë, rreth 16 kilometra larg bregut, si pasojë e djegies së naftës duke shkaktuar edhe dëme të mëdha mjedisore.
Sipas Marine Traffic, i cili gjurmon detaje rreth anijeve të transportit, Stena Immaculate është një cisternë nafte dhe kimike me flamurin e SHBA-së. Ajo ishte nisur nga një port grek në detin Egje dhe kishte si destinacion Hull. Ndërsa anija e mallrave “Solong” është me flamur portugez dhe kishte si destinacion portin në Roterdam.
Organizata Ndërkombëtare Detare ka deklaruar se aktualisht fokusi kryesor mbetet shuarja e flakëve dhe operacioni i kërkim-shpëtimit. Autoritetet po hetojnë shkaqet e përplasjes, ndërsa ende nuk ka informacione për gjendjen e të plagosurve.
/rtsh.al/