RTSH 24 Live

Europë

Rumani - Kandidatit ultradjathtist Georgescu i ndalohet rikandidimi për president

10/03/2025

Rumani - Kandidatit ultradjathtist Georgescu i ndalohet rikandidimi për president

Komisioni Qendror i Zgjedhje në Rumani ka vendosur që të ndalojë pjesëmarrjen e kandidatit prorus të ekstremit të djathtë, Călin Georgescu (lex. Kalin Gjeorgjesku) në zgjedhjet e reja presidenciale që mbahen në muajin maj.

Mbrëmjen e së dielës në Bukuresht, vendimi provokoi përplasje mes mbështetësve të tij dhe forcave të policisë. Qindra simpatizantë u mblodhën para godinës së KQZ-së, duke thirrur "Hajdutë!", "Tradhtarë!" dhe "Liri", ndërsa hodhën gurë nga trotuaret, përmbysën makinat, u vendosën flakën koshave të plehrave dhe tentuan të thyenin kordonin e sigurisë. Policia përdori gaz lotsjellës për t'i zmbrapsur.

Vitin e shkuar, Gjykata Kushtetuese rumune anuloi raundin e parë të presidencialeve, që u mbajtën në muajin nëntor dhe ku Georgescu doli i pari, pasi informacioneve që nxorën në pah faktin se Rusia ishte përfshirë në mbështetje të kandidaturës së tij përmes një fushate në rrjetin TikTok.

Edhe në fundjavë, Komisioni i Zgjedhjeve refuzoi kandidaturën e Georgescu, duke theksuar se nuk përmbushte kushtet e ligjshmërisë, pasi ai kishte shkelur detyrimin për mbrojtjen e demokracisë.

Këtë vendim Georgescu e cilësoi si goditje të drejtpërdrejtë dhënë demokracisë, ndërkohë që ai mund ta apelojë vendimin në Kushtetuese.

Georgescu u arrestua më 26 shkurt ndërsa po shkonte të regjistrohej si kandidat për zgjedhjet e reja dhe ndaj tij u ngrit akuza e tentativës për të rrëzuar rendin kushtetues si dhe ajo e anëtarësisë në një organizatë neofshashiste. 62-vjecari nuk ishte i njohur në skenën politike kur doli i pari në votimet e mbajtura në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rezultatet e të cilave u anuluan vetëm pak ditë para mbajtjes së raundit të dytë.

Një nga premtimet që ia rritën atij popullaritetin ishte rikthimi i dinjitetit të vendit dhe dhënia fund e nënshtrimit ndaj organizatave ndërkombëtare ku bën pjesë Rumania, si NATO dhe BE. 

Georgescu, ndërkohë, ka marrë një farë mbështetjeje nga administrata e re amerikane. Muajin e shkuar, zëvendëspresidenti J.D. Vance akuzoi Rumaninë se i kishte anuluar zgjedhjet bazuar vetëm mbi dyshime të pambështetura të shërbimeve inteligjente të vendit dhe nga presioni i vendeve fqinje. Ministri i Jashtëm rumun akuzoi miliarderin amerikan Elon Musk për ndërhyrje në zgjedhjet rumune, pasi Musk postoi disa mesazhe në mbështetje të kandidatit 62-vjeçar.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/