Arrestohet 43-vjeçari Ervin B., i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia e Kavajës ka bërë të mundur kapjen e 43-vjeçarit të dënuar nga autoritetet italiane me 7 vite burg, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma do kryejnë procedurat për ekstradimin e tij në Itali.
43-vjeçari ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Torinos për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Kavajë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Seven”.
Gjatë këtij operacioni, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin shtetasi Ervin Balliu, 43 vjeç, banues në fshatin Gosë, Rrogozhinë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Torinos, Itali, me vendimin e datës 06.06.2023, e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, sipas Kodit Penal të Italisë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/