Prej një jave ka nisur aplikimi i fermerëve për skemat ndihmëse në bujqësi. Sipas përgjegjëses së ekstensionit në Drejtorinë e Bujqësisë në Fier, Shqiponja Musaraj vetëm për këtë periudhe 6-ditore të nisjes së këtij procesi janë kryer 5000 aplikime për skemat kombëtare ku ajo e mbështetjes me naftë përbën edhe pjesën më të madhe të aplikimeve.
“Interesimi i fermerëve është shumë i kënaqshëm. Shpresojmë që deri në fund të arrijmë shifrën deri në 20 mijë aplikime në rang qarku. I bëj thirrje fermerëve të aplikojnë në grup pasi ky lloj aplikimi do të jetë e para”, u shpreh Musaraj.
Për t’u theksuar është fakti se ka një interesim mjaft të madh të fermerëve për aplikimet pasi shumë prej tyre po certifikohen.
Ashtu si edhe ritmi i aplikimeve për skemat mbështetëse, që ka njohur shifra të kënaqshme, nga ana tjetër edhe mbjelljet e pranverës për fermerët fierakë, po ecin me ritme te shpejta, duke arritur deri tani, gati 75 përqind të sipërfaqes.
RTSH