RTSH 24 Live

Art

Përzgjidhen finalistët e konkursit “Muza” 

29/04/2023

Përzgjidhen finalistët e konkursit “Muza” 

Konkursi “Muza”, i cili në fokus ka të rinjtë e talentuar në fushën e Fashion Dizanjit, tashmë po mbërrin në fund të edicionit të dytë.
Juria prestigjioze ka përzgjedhur 10 finalistët që do të marrin pjesë në finalen e madhe që do të bëjë bashkë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor.

Në fazën fillestare të konkursit aplikuan 1,000 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët prezantuan koleksionet e tyre në fushën e modës dhe të dizajnit.

Drejtorja Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon Andriola Kambo, theksoi se ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata të rinj që të mund të promovohen dhe në tregun ndërkombëtar. 

“Jemi duke punuar ndërkohë dhe për revistën e "Muza"-s që është një risi, për t’u dhënë mundësi dhe për t’u dhënë një zë këtyre të rinjve të fashion dizajn të kenë një dritare të tyre dhe të shtrihen në rajon dhe më gjerë në tregun ndërkombëtar. Po implementojmë një model të suksesshëm që ka ndodhur në Milano, në Francë  dhe ne po shohim se si ta shfrytëzojmë këtë në pjesën e turizmit dhe të promovojmë nëpërmjet një elementi të trashëgimisë tonë kulturore, një rajon të caktuar” tha zonja Kambo.

Konkursi "Muza" është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit. 

Në finalen e madhe që do të mbahet në muajin qershor, 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor, në të cilin do të kurorëzohet edhe fituesi.

/ rtsh.al /