RTSH 24 Live

Sociale

Përmirësimi profesional dhe teknologjik, SHBA dhurojnë laptop-ë për administratën doganore

08/04/2021

Përmirësimi profesional dhe teknologjik, SHBA dhurojnë laptop-ë për administratën doganore

Administrata Doganore Shqiptare synon që krahas misionit të saj mbrojtës të kufijve, eliminimin e trafiqeve dhe kontrabandës, të përmirësojë nga ana profesionale dhe teknologjike stafin e saj.

Përfaqësues të Programit EXBS (Export Control and Related Border Security) për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare, pranë Ambasadës Amerikane në Tiranës, në kuadër të bashkëpunimit me Doganat Shqiptare, dhuruan një sasi të konsiderueshme laptop-ësh për njësinë e Antitrafikut.

Sasia e laptop-ve iu dorëzua drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, nga Vilma Guri, përfaqësuese e EXBS Regional Program, pranë Ambasadës së USA, në Tiranë.

Gazheli vlerësoi rëndësinë e strukturave doganore, sidomos në luftën ndaj fenomeneve të kundraligjshme, si dhe kërkoi nga strukturat profesionalizëm dhe efektivitet të shtuar kundër çdo shkelje ligjore apo trafiku të paligjshëm.

Përfaqësuese e EXBS Regional Program, Guri shprehu angazhimin për mbështetje edhe në vazhdim për Doganat Shqiptare.