RTSH 24 Live

Politikë

Ndryshon sistemi zgjedhor? Kryetarja e Komisionit të Ligjeve i heq shpresat opozitës: Sistemi aktuali, i certifikuar!

26/04/2024

Ndryshon sistemi zgjedhor? Kryetarja e Komisionit të Ligjeve i heq shpresat opozitës: Sistemi aktuali, i certifikuar!

Grupi i Dialogut mes PS dhe opozitës mund të bjerë dakord për disa çështje të Reformës Zgjedhore, por jo për ndryshimin e sistemit zgjedhor. 
Anëtarja socialiste e grupit, Klotilda Bushka, e kundërshtoi propozimin e PD së Rithemelimit për t’u rikthyer tek formula, e cila ishte në fuqi 
përpara ndryshimeve të njënashme të PS në vitin 2020, kur PD dogji mandatet. 

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, zonja Bushka shprehu qendrimin e saj, i cili besohet se është dhe qendrimi zyrtar i PS-së. “Ne 
mendojmë se në sistemin aktual zgjedhor, sipas parashikimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, nuk duhet të bëhen ndryshime, për më tepër që 
standardet e Venecias kërkojnë që elementët thelbësorë të sistemit zgjedhor nuk duhet të ndërrojnë 1 vit para zgjedhjeve. Në lidhje me 
koalicionet, Kodi Zgjedhor i ka parashikuar të gjitha garancitë për partitë politike që të jenë së bashku në koalicione zgjedhore”-tha zonja 
Bushka. Ky qëndrim mbron sistemin aktual, ku kandidatët  e partive të vogla të koalicionit detyrohen të vendosin emrin si kandidatë të PD-së, pa 
iu dhënë mundësia të garojnë në koalicion me siglën e partisë së tyre. 

“Komisioni i Venecias, me kërkesë të Presidentit të Republikës, i vlerësoi ndryshimet në përputhje me standardet. Ndersa sistemi me koalicion të 
përbërë, që kërkon PD-ja, nëse u referohemi analizave të mëparshme, nuk ishte në përputhje me standardet, sepse bënte një deformim të votës së 
qytetarëve.”- u shpreh zonja Bushka për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH. 

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve tregoi gatishmërinë e PS për të negociuar me opozitën për çështjen e votës së emigrantëve, të herësit dhe 
çështjeve të tjera, por jo atë të sistemit zgjedhor.

Gazetare Elona Meço

/ rtsh.al /