Festivali bëri bashkë orkestrat e harqeve nga Elbasani, Tirana, Korça, Shkupi, Vlora, Durrësi etj. Ky festival është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Sipas organizatorit të festivalit, dirigjenti Blerim Narazani thotë se prurjet e këtij viti ishin të një niveli tejet të lartë artistik.
"Jam i lumtur që çdo vit ka nivel, niveli është shumë me i lartë nga viti i kaluar. Ishin në garë deri në minutën e fundit për çmimin e madh të orkestrave dhe instrumentistit më të mirë. Çmimin e parë e mori orkestra simfonike e forcave të armatosura të Shqipërisë dhe çmimin e dytë e mori orkestra e shoqatës Info Art.", u shpreh Blerim Narazani, Drejtor i Festivalit.
Më tepër se 200 artistë u ngjitën në skenë, duke emocionuar me performancat e tyre. Të ftuar specialë ishin orkestrat nga Spanja dhe Bullgaria.
" Jemi shumë të kënaqur bashkë me kolegun që vijmë nga Spanja për të marrë pjesë si të ftuar. E do ikim me ndjesi shumë të mira dhe emocione të mëdha të vlerësuar me diplomën e këtij festivali. Për mua është hera e dytë që kam ardhur në vendin tuaj, hera e parë si juri ndërsa e dyta si muzikant i ftuar", tha Darling Dule, violinist.
Përfaqësuesi i orkestrës simfonike të forcave të armatosura të Shqipërisë, meritoj vendin e parë për performancën e jashtëzakonshme artistike.
"Ne ndjehemi shumë të nderuar, kjo ishte pjesëmarrja jonë e parë , në këtë takim harqesh dhe arritëm të dilnim në vendin e parë. Me punën e palodhur të dirigjentit dhe gjithë stafit arritëm të dilnim në vendin e parë", u shpreh Anxhelo Xhaja, instrumentist.
Protagonistët e këtij festivali të rëndësishëm e kanë vënë theksin tek rëndësia e këtij eventi për shkollat e muzikës dhe universitetin e arteve, për të inkurajuar të rinjtë të ndjekin këtë rrugë të bukur.
Gazetar: Mirash Marashi
/RTSH/