Prej datës 1 janar 2025, pensionistët e Tiranës janë pajisur falas me abone të përgjithshme dhe udhëtojnë pa pagesë në linjat urbane të kryeqytetit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, udhëtoi këtë të diel me njërën prej linjave të transportit urban.
Ai bisedoi me udhëtarët pensionistë, të cilëve u shpjegoi edhe procedurat që duhet të ndjekin për t’u pajisur me abone.
"Më vjen mirë që, nga ky vit, Bashkia e Tiranës subvencionon edhe abonenë e pensionistit, për gjyshet dhe gjyshërit tanë, njësoj siç bën prej më shumë se një viti për studentët. Ky subvencionim është 16 mijë lekë [të vjetra] në muaj ose 192 mijë lekë në vit. Për t’u pajisur me abone fillimisht duhet të regjistrohesh në njësinë administrative dhe pasi futesh në sistemin e rimbursimit, paraqitesh pranë kioskës më të afërt, me fotografi, për të marrë abonenë," tha z. Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku tha se bashkia do të shpërndajë mjaftueshëm abone në mënyrë që pensionistët të mos presin gjatë në rradhë për ti tërhequr dhe gjithashtu kioskat do vijojnë të jenë të hapura.
"Ka abone për të gjithë! Sa më shumë të tërhiqen, aq më shumë do bëjë rimbursim bashkia. Nuk ka nevojë as të presim në radhë, as të dalim herët në mëngjes. E di që gjithmonë gjërat e reja zgjojnë kërshëri dhe kemi merakun se mos mbarojnë, por është pa limit. Aboneja është një karton që mund ta shtypim për aq sa është nevoja, mjafton që të lidhet me një person fizik real, i cili është paraqitur dhe ka interes. Gëzuar të gjithëve, udhëtime të mbara te nipat e mbesat, dhe ju uroj shëndet e vetëm të mira!" deklaroi z. Veliaj.
Në përfundim, kreu i bashkisë u bëri thirrje pensionistëve, të cilët ende nuk janë pajisur me abone falas, që të paraqiten vetëm një herë pranë njësisë së tyre administrative për t’u regjistruar dhe çdo muaj mund të tërheqin abonenë në njërën prej pesë pikave të shpërndarjes të caktuara nga Bashkia e Tiranës.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/