Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi të martën se, buxheti i propozuar nga qeveria për shëndetësinë është i pamjaftueshëm. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, deputetja e PD-së Tabaku, ka analizuar buxhetin e propozuar për shëndetësinë në vitin 2025, duke e cilësuar atë si “të padrejtë ndaj qytetarëve shqiptarë”.
Sipas Tabakut, buxheti nuk parashikon shtesa jetike për shëndetësinë, dhe shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë një përqindje të lartë nga xhepat e tyre për shërbimet shëndetësore.
“Sot, 48% e shpenzimeve për shëndetësinë mbulohen direkt nga xhepat e qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër vjen nga taksat e tyre” shprehet ajo.
Deputetja e PD-së thekson se, përpos shëndetësisë, qytetarët shqiptarë janë të rënduar nga krizat e vazhdueshme të rritjes së çmimeve dhe pabarazisë në paga e pensione, të cilat i cilëson si “pasojë e dështimeve të qeverisjes socialiste dhe investimeve të tepruara në projekte partneriteti publik-privat (PPP) të diskutueshme.”
Tabaku ngriti pikëpyetje se ku përfundojnë taksat e shqiptarëve, ndërsa theksoi rëndësinë e një buxheti më të drejtë dhe më të fokusuar për të përmirësuar shërbimet bazë për qytetarët.
“50% e të gjithë buxhetit që shpenzohet për shëndetësinë vjen nga xhepi i qytetarëve shqiptarë. Shpenzimet për frymë në shëndetësi janë 266 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është pothuajse 10 herë më e lartë, 2650 euro, e rajonit të paktën dyfish sa Shqipëria, 500 euro për frymë”, tha Tabaku në mesazhin e saj në rrjetet sociale.
/rtsh.al/