RTSH 24 Live

Sociale

Pastrimi i liqenit të Fierzës, aksion nga drejtoria e shërbimeve Kukës

26/05/2024

Pastrimi i liqenit të Fierzës, aksion nga drejtoria e shërbimeve Kukës

Pak muaj më parë në grykëderdhjen e lumit Sheja u vendos një pritë për minimizimin dhe frenimin e ndotjes në liqenin e Fierzës, por pa mundur të zgjidhë problemin madhor të kësaj ndotjeje, burimet e së cilës vijnë pikërisht nga dy lumenjtë kryesorë, Drin i zi dhe Drin i bardhë.

Këtë vit, për herë të parë u vendosën dy prita për frenimin e ndotjes, në lumin e Shejës në Bushat dhe në përroin e Kolshit, projekte të implementuara nga Këshilli I Qarkut Kukës me financimin e Bashkimit Evropian në kuadër të projekteve mjedisore Biodrini.

Gjithsesi, pavarësisht projekteve, ndotja e liqenit është kthyer në një problematikë shqetësuese cdo herë që ka reshje e shtim të prurjeve.

Punonjësit e Drejtorisë së Shërbimit në Bashkinë Kukës kanë vijuar punën për pastrimin e  hapësirës ujore të liqenit të Fierzës, në të gjitha brigjet e tij në kufi me Kosovën dhe Dibrën.

Prej ditësh niveli i ujit në liqenin e Fierzës sa vjen e rritet, e kjo nga shtimi i prurjeve në lumenjtë kryesor që furnizojnë këtë liqen por edhe prurjet anësore. Reshjet e orëve të fundit ndikuan pozitivisht në basenin më të madh ujëmbledhës në vend.

Prurjet e ditëve të fundit i kalojnë 270 metër kub ujë në sekondë ndërsa kuota ka kaluar në 295 metër mbi nivelin e detit nga 296 metër të kuotës maksimale.

Gjithsesi edhe hidrocentrali i Fierzës po punon me kapacitet të reduktuar e kjo për të siguruar rezervë të mjaftueshme ujore. Konsumi i energjisë elektrike në vend po mbulohet nga prodhimi i hidrocentraleve të tjera ndërsa një sasi importohet nga tregjet ndërkombëtare të energjisë në bazë të planifikimit dhe përmbushjes së kontratave që KESH me operatorët në treg.

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare në periudhën 6-12 maj ka shitur një sasi energjie prej 60 mln kwh, ndërkohë që çmimi që KESH ka aplikuar është 54 euro/MWH.

/RTSH/