Jemi në sezonin e krasitjes së vreshtave dhe pemëve, dhe Nexhip Kaculin e gjejmë në mes të punës së tij.
Me gërshërët në dorë ai ndan eksperiencën e tij shumëvjeçare mbi rëndësinë e krasitjes dhe teknikat e duhura që duhen ndjekur.
Mjeshtri i mbjelljes së frutikulturës nga fshati Krenzë i Shtiqnit, punon me pasion edhe pse i ka kaluar të 75-tat.
E gjejmë duke krasitur në vreshtarinë e tij, ku na tregon për sekretet dhe rëndësinë e krasitjes tek rrushi
Mjeshtër i frutikulturës thotë për RTSH se “tani është koha për e mirë për të filluar tani krasitja sepse më vonë fillon dhe merr dhe lëng. Dhe nëse nxjerr lëng ardhja, dëmtohet sythi tjetër duke e rralluar prodhimin."
Sipas Kaculit, krasitja nuk është një proces i thjeshtë. Ajo ka disa sekrete që duhet të zbatohen me kujdes te pemët apo rrushi për të siguruar prodhim të shëndetshëm dhe cilësor.
“Krasitësi duhet të ketë parasysh rrënjën e rrushit kur bënë krasitjen. Dhe në bazë të shëndetit të saj e dobët apo e fuqishme, krasitësi duhet të ketë parasysh që ta lëri ngarkesën më tepër sepse nëse krasitet rrënd ajo hedh shumë lastar dhe prodhimi nuk piqet sepse krijohet hije nga gjethet e shumta,” shprehet Nexhip Kaculi.
Në parcelën e tij, Kaculi ka mbjellë lloje të ndryshme rrushi. Megjithatë, ai nuk i rekomandon disa prej tyre për fermerët e tjerë, pasi kërkojnë kujdes të veçantë dhe kushte specifike për të dhënë rezultate të mira.
Kur bëhet fjalë për krasitjen e pemëve, ai thekson se dy nuk duhet të priten ose ndërhyhet në degët e tyre, pasi kjo mund të dëmtojë pemën dhe prodhimin e saj.
“Qershia është një pemë që nuk duhet të ndërhyhet vetëm në rast se ka dëmtime apo thyhet ndonjë degë dhe e kruan më pas me sharrë apo me thikë duke e bërë ata të lëmuar si xham dhe nuk merr lagështirë. Edhe arra nuk lejon krasitjen,” thotë më tej ai.
Megjithëse është 76 vjeç, Nexhip Kaculi vazhdon të punojë me të njëjtin përkushtim dhe pasion si në vitet e rinisë së tij. Për të, krasitja nuk është vetëm një punë, por një art që kërkon dashuri dhe vullnet.
/rtsh.al/