RTSH 24 Live

Kosovë

Pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese serbe, Bislimi: Propozimi i BE-së përmban shkelje

21/11/2023

Pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese serbe, Bislimi: Propozimi i BE-së përmban shkelje
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur shqetësim lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese serbe.

Ai, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkërisht prej vitesh”, shkruan Bislimi.

Sipas tij, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.

“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t'i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel. Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, thekson Bislimi.

Sipas tij, qeveria ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta.

“Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%. Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Ky i fundit thekson se i ka bërë të ditura këto kundërshtime edhe në instancat më të larta të BE-së.

“I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, tha Bislimi.