RTSH 24 Live

Politikë

Padi në “Kushtetuese” për listat e mbyllura, Shabani: Nuk po zgjedhin qytetarët, por kryetarët e partive

16/09/2024

Padi në “Kushtetuese” për listat e mbyllura, Shabani: Nuk po zgjedhin qytetarët, por kryetarët e partive

“Nisma Thurje” dhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet” depozituan këtë të hënë (16 shtator) në Gjykatën Kushtetuese padi për të kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, lidhur me listat e mbyllura.

Kjo është padia e dytë që dërgohet në “Kushtetuese” për këtë çështje, me argumentin se këto ndryshime, që do aplikohen për zgjedhjet e ardhshme të 2025, nuk lejojnë që deputetët të zgjidhen nga vota e qytetarëve, por nga kryetarët e partive.

Në një deklaratë për mediat, Endri Shabani nga “Nisma Thurje” tha se ndryshimet e miratuara me darkodësinë e Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk mund të imponojnë partitë e vogla të hyjnë në zgjedhje me lista të mbyllura dhe se qytetarët duhet të jenë të lirë për të zgjedhur deputetët që duan t’i përfaqësojnë.

“Edi Rama dhe Sali Berisha mendojnë se vetëm ata të dy  e kanë të drejtën të zgjedhin deputetët, ne mendojmë se kjo është e drejtë e shqiptarëve, përmes listave të hapura. Ata s’mund të na imponojnë ne që të hyjmë në zgjedhje me listat e mbyllura. Në 2021, shqiptarët e ushtruan të drejtën e tyre për të votuar preferencën e tyre. Këta duan që t’ia heqin këtë të drejtë. Mendojmë se kushtetuesja do i shfuqizojë këto ndryshime, është betejë për Kushtetutën e Shqipërisë. Ata u bënë prapë bashkë, njësoj si në 2008 për të rikthyer sistemin e 2008. Këto ndryshime janë imponime që i bëjnë jo vetëm votuesve të vetë, por edhe votuesve të Nismës Thurje apo Shqipëria Bëhet. Ata detyrojnë çdo subjekt që të futen me lista të mbyllura. Besojmë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë këto ndryshime”, tha Shabani.

Më herët të njëjtën padi për shfuqizimin e ndryshimeve për listat e mbyllura u dërgua në Gjykatën Kushtetuese edhe nga partitë e vogla opozitare dhe deputeti Dashamir Shehi.

Në seancën e 26 korrikut të 2024, PD dhe PS arritën dakordësinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku listat do të jenë të hapura vetëm me 2/3 e tyre dhe 1/3 e listës së deputetëve do të miratohet nga kryetari i partisë. Pjesë e ndryshimeve ishte edhe heqja e herësit dhe votimi për herë të parë i diasporës shqiptare.

/rtsh.al/