U krijua në vitin e largët 1962, si një aset kombëtar, kontributor për kolonat zanore që i shërbenin kohës, por edhe Radio Televizionit, që u krijua po në ato vite.
Një histori suksesi, që erdhi deri në ditët e sotme, por duke u harruar dhe lënë në një sallë që shërbente vetëm për realizimin e provave.
“Para 5 vitesh u hoqën sfungjerët që ishin në këtë sallë për akustikën. Është e turpshme të thuhet, por ishin me krimba. Të kuptosh që këta njerëz punonin në një sallë të tillë mes papastërtisë”, u shpreh dirigjenti Oleg Arapi.
Flautisja Jonela Golemi u shpreh se kishte ardhur momenti për ndërhyrje.
“Në nivel akustike, ndriçimi, ajrimi, kishin shumë probleme. Kishte ardhur momenti. Ishte e pamundur të bënim prova në mënyrë dinjitoze siç meritojmë”, tha Golemi.
“Burimi i ajrit vinte në kundërshtim me zërin, kushtet e saj erdhën duke u degraduar dhe nuk i përgjigjeshin kohës”, thotë Mjeshtri i Madh, Zhani Ciko.
Një sallë sa klasike aq edhe moderne, sa unikale për nga parametrat akustike, aq edhe e veçantë nga pamja mbresëlënëse televizive që ofron.
“Është një nga zhvillimet më të rëndësishme në atë institucion. Së pari krijohen kushte maksimale për orkestrën, do i jepej dinamikë të re punës së saj. Duke investuar në pajisjet e teknologjisë së fundit si për audio dhe për video, orkestra do të jetë më prezente me veprimtarinë e saj në jetën e publikut”, nënvizoi kompozitori Vasil Tole.
Salla tanimë është gati për çdo sitnë koncertore. Rivitalizimi i saj ishte pjesë e rikthimit në identitet të gjitha ambienteve rrotull saj, të cilat tanimë kanë marrë formë për ta rikthyer sërish RTSH e madhe në epokën digjitale.
Gazetar: Marjo Merhori
/rtsh.al/