RTSH 24 Live

Politikë

Opozita proteston, Rama: Kënetë humbësish, më 11 maj ta çojmë drejt tharjes

08/02/2025

Opozita proteston, Rama: Kënetë humbësish, më 11 maj ta çojmë drejt tharjes

Pak orë para nisjes së protestës para kryeministrisë, shefi i qeverisë, Edi Rama, e quajti opozitën një "alternativë të kalbur" dhe kritikoi kauzën nga e cila është nisur tubimi i së shtunës.

Protesta u thirr nga kreu i demokratëve Sali Berisha për të ngritur zërin dhe qytetarët ndaj asaj që ai e konsideroi një ditë më parë si "frontin e së keqes". Ai veçoi deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj, si "dëshmi e shekullit", që inkriminojnë qeverinë socialiste.

Sipas kryeministrit Rama, z. Berisha ka zgjedhur personin e gabuar për të varur shpresat e aksionit opozitar, duke u bazuar te "broçkullat e një të arratisuri në kërkim nga drejtësia për korrupsion e fshehje pasurie".

"Duhet përshëndetur kjo protestë, sepse është një pasqyrë e qartë sa s’ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar, të cilën më 11 maj shqiptarët duhet ta çojnë drejt tharjes, duke votuar të vetmen forcë politike të denjë në Shqipëri, Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013," reagoi kryeministri Rama nga rrjeti social "X".

Që prej mbrëmjes së të premtes, Garda e Republikës, por edhe Policia e Shtetit, kanë “blinduar” dyert e kryeministrisë për shkak të protestës së thirrur nga opozita.

Në terren do të jenë rreth 1 mijë efektivë blu, të cilët do të monitorojnë dhe menaxhojnë tubimin, i cili pritet të zgjasë nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

/rtsh.al/