RTSH 24 Live

Rajon

O'Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm

22/03/2024

O'Brien: Vuçiq e di se përdorimi i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

“Në Serbi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime për uljen e tensioneve në rajon.

O'Brien i ka bërë këto deklarata në një bashkëbisedim me gazetarët online.

Zyrtari amerikan ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 21 mars se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, dhe i ka cilësuar këto lëvizje si “provokime të qëllimshme”.

Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka quajtur deklaratat e Kurtit si pjesë e fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë.

Sipas saj, forcat e ushtrisë serbe janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. /REL

/rtsh.al/