Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Nju-Jork dhe me anë të një postimi të drejtpërdrejtë nga SHBA në Facebook, ajo thotë se është shumë e rëndësishme që Kosova të marrë pjesë edhe në organizime bashkë me liderë të tjerë botërorë në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
“Edhe pse Kosova nuk është pjesë e OKB-së, liderët e saj tradicionalisht kanë ardhur gjatë kësaj jave për të takuar miqtë tanë dhe për të krijuar miqësi me liderë botërorë,” deklaroi ai.
Presidentja thotë se takimi më i rëndësishëm është ai me presidentin e SHBA-së, Xho Bajden (o. Joe Biden), i cili do të organizojë pritje për liderët që marrin pjesë në kuadër të këtij sesioni.
“Në takime bilaterale me liderë të tjerë do ta përçoj zërin e Republikës së Kosovës, jo vetëm për zhvillimet rajonale, por edhe si mund të jetë Kosova një faktor që mund të kontribuojë edhe për sfidat tjera globale me të cilat të gjithë bashkërisht po merremi,” ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Nju-Jork, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare.
“Presidentja është ftuar së bashku me zotërinë e parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, zotëria i parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga zonja e parë e SHBA-ve, Jill Biden,” njofton Presidenca.
“Përgjatë kësaj vizite, presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare,” thuhet më tej në njoftimin e Presidencës.
Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Përveç takimeve, presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
/rtsh.al/