Gjenerali Enrico Barduani, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, në një intervistë në radiokfor ka folur mbi prioritetet që ai ka gjatë mandatit të tij në krye të misionit për ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në Kosovës.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e rolit të KFOR-it për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme jo vetëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, por edhe për stabilitetin rajonal. Në këtë kuptim, më duhet të rikujtoj se KFOR-i gjithashtu ka për detyrë të sigurojë njësi rezervë për misionin e Bashkimit Evropian në Bosnje Hercegovinë, nëse situata e sigurisë e kërkon këtë”.
Duke vlerësuar përvojën e tij të kaluar në Kosovë, Barduani theksoi rritjen e forcave ushtarake të KFOR-it si përgjigje ndaj sfidave në rritje të sigurisë globale dhe rajonale.
“KFOR-i është misioni më i gjatë dhe më i madh i NATO-s, me një kontribut nga 29 vende aleate dhe partnere. Përkushtimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit mbetet i palëkundur,” u shpreh Barduani në një intervistë për Radio KFOR-in.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke nënvizuar se misioni i KFOR-it mbetet një nga elementët kyç të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për prioritetet e tij, Barduani deklaroi se do të sigurohet që KFOR-i të vazhdojë të garantojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.
Ai theksoi rolin e KFOR-it në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe siguroi për një reagim të koordinuar ndaj çdo sfide të sigurisë që mund të shfaqet në rajon.
Motoja e zgjedhur nga Barduani për mandatin e tij njëvjeçar është “Unitas Omnia Vinciť” – “Uniteti fiton mbi të gjitha”.
Ai tha se suksesi i KFOR-it mund të arrihet përmes kohezionit dhe unitetit jo vetëm brenda misionit, por edhe me komunitetet lokale dhe ndërkombëtare.
Në përfundim, Barduani përshëndeti dhe vlerësoi punën e përkushtuar të bashkëluftëtarëve të tij dhe kujtoi sakrificat e ushtarëve të rënë të KFOR-it, duke theksuar kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.