Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare është vlerësuar me një tjetër çmim. Komuna e Gjilanit, në një ceremoni të veçantë në Ambasadën e Kosovës i ka akorduar çmimin “Beqir Musliu” në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në letërsi, por edhe në trashëgiminë kulturore.
Ismail Kadare mori pjesë në ceremoni, i shoqëruar nga bashkëshortja, Helena Kadare.
Ndonëse i vlerësuar më shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, Ismail Kadare u shpreh i emocionuar edhe për këtë çmim.
"Nuk e kam menduar që mund të ndodhem në një çast të tillë emocionues. Është nderim, ia kam borxh popullit shqiptar, lexuesve të mi pa të cilët një shkrimtar është një enë e zbrazët. Jeni ju lexuesit që na mbani gjallë, është fryma juaj që na ndjek hap pas hapi dhe na jep atë ndjeshmëri të çmuar që vazhdon gjithë jetën”, u shpreh shkrimtari Kadare.
Çmimi letrar "Beqir Musliu" është më i rëndësishmi i Komunës së Gjilanit, i themeluar që nga viti 2004, me inicimin e “Ars Club”.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/