Një militant i Hamasit hyri me makinën e tij të martën në një stacion autobusi të mbushur me njerëz në Tel Aviv, dhe filloi të godiste me thikë njerëzit. Si pasojë e këtij akti, ai plagosi tetë persona. Sulmi i tij u lavdërua nga grupet militante palestineze, si përgjigje ndaj operacionit ushtarak të Izraelit në zonat e okupuara në Bregun Perëndimor.
Shefi i policies, Kobi Shabtai, u tha gazetarëve se një civil i armatosur qëlloi dhe vrau sulmuesin.
Sulmi erdhi në kohën që trupat izraelite vazhduan edhe sot gjuetinë e tyre në kërkim të militantëve palestinezë dhe për armë në kampin e refugjatëve Jenin. Buldozerët ushtarakë shpërthyen rrugicat, ndërsa mijëra banorë u larguan për të shpëtuar. Numri i viktimave dyditore të palestinezëve u rrit në 10.
Bastisja në shkallë të gjerë, e cila filloi të hënën, ishte një nga operacionet ushtarake më intensive në Bregun Perëndimor të pushtuar në gati dy dekada. Ajo vjen në kohën e rritjejes së dhunës prej më shumë se një vjeçare. Më shumë se 140 palestinezë janë vrarë këtë vit në Bregun Perëndimor, ndërsa sulmet palestineze që synojnë izraelitët kanë vrarë të paktën 26 persona.
Bastisja kishte shenjat dalluese të taktikave ushtarake izraelite gjatë kryengritjes së dytë palestineze në fillim të viteve 2000. Ajo erdhi ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përballet me presion gjithnjë në rritje nga aleatët e tij politikë ultranacionalistë për një përgjigje të ashpër ndaj sulmeve më të fundit ndaj kolonëve izraelitë.
Por dhuna aktuale është gjithashtu e ndryshme nga vitet intensive të asaj që njihej si intifada e dytë, një periudhë që mori mijëra jetë njerëzish. Ajo është më e kufizuar në shtrirje, me operacione ushtarake izraelite të fokusuara në disa bastione të militantëve palestinezë.
Grupi militant islamik Hamas e vlerësoi sulmuesin e Tel Avivit si një "luftëtar martir" dhe tha se sulmi ishte "heroik dhe hakmarrës për operacionin ushtarak në Jenin".
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse sulmuesi ishte dërguar nga grupi apo ka vepruar vetë. Edhe Xhihadi Islamik, një grup militant me një prani të madhe në Jenin, vlerësoi gjithashtu sulmin.
Agjencia izraelite e sigurisë së brendshme, Shin Bet, e identifikoi sulmuesin si një palestinez nga Bregu Perëndimor. Shabtai, shefi i policisë, tha se disa persona të lidhur me personin u arrestuan, por nuk dha detaje. Apnews
/rtsh.al/