RTSH 24 Live

Sociale

Nis viti i ri akademik, mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve

3 orë para

Nis viti i ri akademik, mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve

Ka nisur këtë të hënë (7 tetor) procesi mësimor për të gjithë studentët. Janë mbi 20 mijë studentë të cilët do të ulen sot për herë të parë në auditorët e universiteteve.

Ky numër pothuajse është i njëjtë me atë të një viti më parë dhe gjithashtu preferencat për programet e studimit kanë mbetur të njëjtat.

Më të kërkuarat edhe për këtë vit rezultuan degët: Mjekësia e Përgjithshme, Arkitektura dhe Inxhinieritë.

Këtë vit ka patur edhe një rritje të interesit për programet prioritare të studimit që ofron Universiteti Bujqësor, ku është vënë re një tejkalim i numrit minimal të studentëve për një grup. Vetëm 2 programe në këtë universitet, Agrobiologji dhe Inxhinieri Agrare, rezultojnë me një numër të kufizuar studentësh.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka uruar studentët, teksa shkruan në Facebook: “Suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.

Sipas ministrisë së Arsimit, Viti i ri akademik 2024-2025 në institucionet e arsimit të lartë do të përfundoj më datë 26 shtator 2025.

/rtsh.al/