RTSH 24 Live

Sociale

Kanceri i gjirit - 46 raste të reja në Korçë, rritet ndërgjegjësimi për t’u ekzaminuar

2 orë para

Kanceri i gjirit - 46 raste të reja në Korçë, rritet ndërgjegjësimi për t’u ekzaminuar

46 raste të reja me kancer gjiri janë diagnostikuar në Korçë prej fillimit të këtij viti. Referuar shifrave situata është pak a shumë e njëjtë me atë të një viti më parë, teksa vlen të theksohet fakti se ka një rritje të ndërgjegjësimit të popullatës për të bërë ekzaminime më të shpeshta sesa vite më parë.

Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e pacientëve janë diagnostikuar në stade të hershme.

Mjekja onkologe, Jusilda Dervishi shprehet se janë rreth 46 raste të reja të diagnostifikuara për herë të parë me kancer të gjirit.

“ Pak a shumë jemi në një situatë si një vit më parë, janë rreth 46 raste të reja të diagnostifikuara për herë të parë me kancer të gjirit të cilët kanë marrë shërbim te spitali rajonal i Korçës”, tha mjekja.

Mjekja shton më tej se rastet më të shumta të kancerit të gjirit janë mbi moshën 45 vjeç, por nuk kanë munguar edhe rastet tek moshat më të reja.

“Kemi pacientë edhe 30 vjeç. Grupmoshat më të prekura janë mbi moshën 45 vjeç. Grupmoshat më të prekura janë mbi moshën 45 vjeç deri në 65 vjeç”, tha mjekja.  

Nga viti në vit rritet interesi për të kryer ekzaminimin e gjirit, si shenjë sensibilizimi nga të gjitha gratë dhe vajzat mbi rëndësinë që ka zbulimi i hershëm si dhe trajtimi i kësaj sëmundjeje.

Gazetare Eftjola Fili

/rtsh.al/