RTSH 24 Live

Aktualitet

Grip apo COVID? Mjekja Koshovari: Shenjat që nuk duhet t'i neglizhoni

07/10/2024

Grip apo COVID? Mjekja Koshovari: Shenjat që nuk duhet t'i neglizhoni

Me ardhjen e stinës së vjeshtës, rastet e pacientëve me viroza janë shtuar. Por pikëpyetjeve nëse është grip apo COVID, infeksionistja Iris Koshovari u ka dhënë përgjigje në studion e “Mirëmëngjesi Shqipëri”, ku ka këshilluar qytetarët se si të dallojnë virozat në varësi të simptomave.

Koshovari deklaroi se nevojitet një qasje e mirë te mjeku kur shihet një rëndesë apo agravim i gjendjes, pasi fëmijët dhe mosha e tretë janë kategoritë që rrezikohen më së shumti.

Ajo u shpreh se virozat e kanë pikun e tyre gjatë vjeshtës, nga muaji dhjetor deri në muajin mars dhe prekin kryesisht traktin e frymëmarrjes.

Ndërsa kur vjen fjala te gripi dhe COVID, infeksionistja theksoi se paraqesin simptoma më të rënda. Në këto raste, sugjeroi ajo, nevojitet kontroll te mjeku për të bërë ekzaminimin e nevojshëm dhe për të marrë medikamentet e duhura.

“Simptomat si për gripin, si për COVID, në përgjithësi janë të njëjta dhe janë simptoma të përgjithshme. COVID shfaqi një larmirshmëri simptomash, qoftë edhe ato gastrointestinale, që janë dhe shfaqja e parë ndonjëherë. Qasja me mjekimin nuk bën ndryshim të madh.

Diagnostikimi, e vetmja që ka rëndësi, për të qenë më alert kur vjen puna te COVID apo gripi. Virozat më të shpeshta gjatë verës, viroza që kanë një pëlqim për traktin gastrointestinal që manifestohen me të vjella dhe diarre.

Ndërsa gjatë vjeshtës dominojnë virozat e traktit të frymëmarrjes. Virozat e zakonshme janë shumë të lehtë, 1-3 ditë simptoma, sepse as temperaturë nuk bëjnë, por pak kollë, pak rrufë, bllokim të veshëve.

Ndërsa kur vjen fjala te gripi dhe COVID paraqesin simptoma më të rënda. Fëmijët janë kategoria më vulnerabël. preken më shpejt dhe janë transmetuesit më të shpeshtë. Pacientët e  moshës së tretë, që kanë sëmundje kronike, sëmundje që u dobëson imunitetit, janë kategori që duhet të jenë më alert dhe të kenë parasysh disa këshilla. Virozat respiratorë kanë një pik në stinën e vjeshtës, rreth muajit dhjetor-mars kur marrin fluks më të shtuar viruset e gripit”, deklaroi Koshovari.

/rtsh.al/