Prej 23 shtatorit e për një muaj familjet me statusin e të pastrehit apo familje në nevojë në bashkinë e Elbasanit, mund të aplikojnë për bonusin e qirasë.
Drejtoreshë e Shërbimit Social, bashkia Elbasan Dorina Roseni tregoi shtresat që përfitojnë.
“Kategoritë të cilat përfitojnë janë shtresat në nevojë, familje të komunitetit rom dhe egjiptian, ato me statusin e jetimit, familje që janë kthyer nga emigracioni”, tha ajo.
Bonusi i qirasë, si skemë në ndihmë të familjeve të pastreha, apo atyre në nevojë në bashkinë e Elbasanit aplikohet prej 8 vitesh, që nga viti 2016.
Aplikuesit për bonusin e qirasë brenda datës 23 tetor dorëzojnë dosjen me dokumentacionin përkatës, ndërsa përfituesve nga ky program u ndërpritet masa e përfitimit, nëse gjatë kontrolleve periodike konstatohet se ata nuk jetojnë në ambientin e deklaruar.
Po kështu përjashtohet nga të gjitha programet e përfitimit social, për një periudhë 5-vjeçare.
/rtsh.al/