RTSH 24 Live

Sociale

Marrëveshja për laboratorët inteligjentë, Manastirliu: Rrisim aftësitë digjitale të nxënësve

19/12/2024

Marrëveshja për laboratorët inteligjentë, Manastirliu: Rrisim aftësitë digjitale të nxënësve

Me ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për financimin e projektit ““Laboratorët inteligjentë” (Smart Labs) – Digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, mundësohet financimi i 654 laboratorëve inteligjentë në shkolla nga veriu në jug.

“Krahas instalimit të 654 SmartLab-eve në mbi 600 shkolla publike të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm, që u mundësojnë nxënësve dhe mësuesve qasje në pajisje moderne të teknologjisë si tabelat interaktive për mësimdhënien, laptopë modernë dhe kompjuterë të vegjël për programim, projekti parashikon ngritjen e kapaciteteve, duke përditësuar kurrikulën e TIK-ut, trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve për lëndën e TIK-ut, si dhe sigurimin e materialeve mbështetëse për mësuesit dhe nxënësit”, tha ministrja e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj të enjten në Kuvend.

Ministrja tha se aktualisht janë 316 laboratorë smart në shkolla, që garantojnë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e kurrikulës së re TIK, të hartuar sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare, për nivelet e klasave I-III, që ka në fokus të saj zhvillimin e kompentencave bazë në botën e kompjuterit, multimedias, të menduarit kompjuterik, kodimit dhe sigurisë.

Në kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar, kurrikula e TIK synohet të përfshihet në të gjitha klasat, nga I-XII dhe kompetenca digjitale të zhvillohet përgjatë gjithë lëndëve tjera.

Falë investimit të deritanishëm, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive, ndërkohë që pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje dhe zbatimit të projektit do të jenë përfitues rreth 130 mijë nxënës të arsimit parauniversitar, nga klasa 1-12.

Me implementimin e fazës së tretë, numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970, duke përmbushur kështu edhe një nga objektivat kryesorë për pajisjen e të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar me infrastrukturën e nevojshme, që do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.

/ rtsh.al /