RTSH 24 Live

Sociale

Nis qarkullimi i gripit në vend, ISHP: Kemi izoluar tipin A, nuk kemi raste të rënda

4 orë para

Nis qarkullimi i gripit në vend, ISHP: Kemi izoluar tipin A, nuk kemi raste të rënda

Në vendin tonë është konfirmuar qarkullimi i gripit. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon për RTSH se si rezultat i survejancës së përforcuar në qendra shëndetësore e spitale ka izoluar në laboratorin e virologjisë, rastin e parë me grip të tipit A.

ISHP ka izoluar rastin e parë më grip. Rasti është konfirmuar si rezultat i survejancës së përforcuar ambulatore dhe asaj spitalore. Virusi i izoluar është i tipit A dhe është identifikuar në një pacient të moshës 27 vjeç në spitalin infektiv në QSUT”, tha mjeku Artan Simaku.

Parashikimet flasin që edhe këtë vit të kemi intensifikim të infektimeve dhe sëmundshmërisë nga gripi ndaj autoritet apelojnë për goditje të gripit me vaksinim.

“Gripi e ka nisjen e pikut të infektimeve në mesin e dhjetorit për të vijuar me intensitet të lartë përgjatë gjithë muajit janar dhe fillimin e muajit shkurt e më pas fillon rënia graduale. Mbrojtja më ë mirë, sidomos për grupet në risk është vaksinimi i cili është i disponueshëm pranë çdo qendre shëndetësore. Deri më tani mund të themi se vaksinimi është përthithur me ritme shumë të mira. 55% dozave të shpërndara janë aplikuar tashmë”, tha Simaku.

Specialistët thonë se vaksinimi ndaj gripit sezonal ndihmon edhe për gripin e  shpendëve i cili u evidentua në vendin tonë këtë fundjavë në Mëzes.

Mendohet që vaksina ndaj gripit ndihmon edhe për virusin e gripit të shpendëve”, shton ai.

Ekspertët paralajmërojnë se sëmundshmëria nga gripi është e rrezikshme dhe mund të marrë jetë njerëzish.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/